Basha në Lubjanë: Mora mbështetje për negociatat me BE

Basha në Lubjanë: Mora mbështetje për negociatat me BE

Kryedemokrati Lulzim Basha takoi në Lubjanë kryeministrin e Sllovenisë, Janez Janša, vend i cili merr presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Pas takimit, Basha njoftoi se kishte marrë angazhimin e kreut të qeverisë sllovene për të mbështetur Shqipërinë me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“E njoha mikun tim, kryeministrin slloven me planin tonë për integrimin, angazhimin për të përmbushur të gjitha detyrimet, duke nisur nga lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju, se mora mbështetjen e kryeministrit Janša, vendi i cili merr në 6 muajt e ardhshëm presidencën e Bashkimit Europian, për të na mbështetur me nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit. Për Shqipërinë nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian. Dhe për këtë, Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur të ndërmarrim çdo vendim dhe hap të nevojshëm.

Ramë dakort të koordinojmë veprimet dhe vendimet tona për ta përshpejtuar rrugën evropiane të Shqipërisë si interesi më i madh i çdo shqiptari, si destinacioni ynë i vetëm.

Kryeministri Janša më garantoi se Sllovenia do të jetë avokate e fuqishme e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Po kështu, ne biseduam për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për të tërhequr dhe nxitur investitorët sllovenë të investojnë në Shqipëri.”, deklaroi kryedemokrati./Insajderi.com