Kurti e Osmani vizitojnë shtëpinë muze të Herticëve që ishte kthyer në shkollë gjatë viteve të ’90-ta

Kurti e Osmani vizitojnë shtëpinë muze të Herticëve që ishte kthyer në shkollë gjatë viteve të ’90-ta

Kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, sot kanë vizituar shtëpinë muze në rrugën “Shkolla e Herticëve” në Prishtinë që në vitet e 90-ta kishte shërbyer si shkollë, njofton Insajderi.

Kurti ka kritikuar se shtëpia-muze nuk ka mirëmbjatjen siç e meriton, ndërsa ka kujtuar se rezistenca e viteve 90-ta kishte arsimin në ballë,

Kurti ka premtuar se qeveria e tij, do të angazhohet për arsim të mirë dhe për ta bërë shkollën e këndshme porsi shtëpinë.

“Në rrugën “Shkolla e Herticëve” në Prishtinë ndodhet shtëpia e djegur në mars të vitit 1999, e kthyer në muze, por që nuk mirëmbahet siç e meriton. Rezistenca e viteve të ’90-ta e kishte arsimin në ballë. Asokohe mësohej me shumë ankth të përditshëm nga ndërhyrjet e policisë serbe. Na priti Baca Mehmet Aliu dhe ish Drejtori Avdyl Gashi, të cilët evokuan kujtimet nga ajo kohë e vullnetarizimit dhe qëndresës. Me Presidenten Vjosa Osmani dhe kandidatë për deputetë të listës sonë të përbashkët ua uruam Ditën e Pavarësisë. Qeveria jonë do të angazhohet për arsim të mirë, për ta bërë shkollën e këndshme porsi shtëpinë, teksa nuk harrojmë se prej nga vijmë: ato shtëpitë e kthyera në shkolla gjatë kohës së okupimit”./Insajderi.com