Qerkini: Serbia po luan me fatin e të pagjeturve

Qerkini: Serbia po luan me fatin e të pagjeturve

Serbia po bën lojë me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka deklaruar përfaqësuesi i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini.

Sipas tij, gërmimet në Kizhevak janë lojë, pasi ka thënë se gjatë gërmimeve është dashur të jetë prezent edhe një përfaqësues ndërkombëtar dhe një nga Kosova.

“Unë para thashë dhe prapë po them, është një lloj loje të cilën është zor të ia lexosh Serbisë. Ata ose grupi punues i përbashkët me tonët, u gjinden pas pesë vitesh me imazhe satelitore në Kizhivak, dhe çka ka ndodh, është mbulua me disa najlon edhe po i ruan Serbia, kjo është jashtë gjitha normave për familjarët, i ka çua i ka shti 4m në dhe, kanë hasur në pesë apo gjashtë dhe e kanë lanë për shkak kohës, në rregull, por kush po i ruan Daçiqi edhe Vuçiqi, a janë këta normal që nuk kanë kërkuar me qenë prezentë një përfaqësues ndërkombëtar apo përfaqësues dhe i Kosovës.

Unë besoj që nëse kanë qenë dhe kanë premtuar 20 tash nuk kanë me i gjet as gjashtë, edhe gjashtë pos këtyre pesëve ma shumë nuk gjejnë sepse i kanë fshehur, do të thotë gërmimet e tashme janë lojë ku tash përmendet edhe në vendet e tjera”, është shprehur Qerkini për EO.

Tutje, Qerkini është shprehur i pakënaqur me punën që është bërë nga partitë politike për personat e pagjetur.

“Nuk them që nuk kanë punuar, por kanë punuar pa një agjendë të rregullt e cila është dashur të bëhet. 21 vite kaluan, nuk e kanë vendos një agjendë të rregullt, ajo agjendë po na kushton neve. Neve familjarëve po na duket se janë ka na bëjnë një lojë bash qysh po e donë edhe Serbia”, ka thënë tutje Qerkini.

Lidhur me pritshmërinë e tyre në të ardhmen, ai ka pohuar që shumë pak presin për zbardhjen e fatit të personave të pagjeturve.

“Ne presim që vizioni qeveritar ose grupi dialogues ose pa marrë parasysh çfarë politike të caktohet, çfarë ekspertë të caktohen të ulen të bisedojnë për të pagjeturit, dhe të kenë të qartë se kriminelët nuk tregojnë vendin e ngjarjes ose ku i kanë lënë, por i tregojnë imazhet satelitore apo fotografitë të cilat i kanë bë.”/Insajderi.com