Kryetari i Komunës së Drenasit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar dorëheqje masive në këtë parti pas rezultatit në zgjedhet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.
Ai përmes një letre të hapur dërguar partisë së tij, ka kërkuar dorëheqjen e secilit kryetar të degës ku PDK-ja ka pësuar humbje të elektoratit apo dobësim të ndjeshëm.
Po ashtu, Lladrovci ka thënë se duhet të lirohen nga detyra secili anëtar i kryesisë “që në opinion ka pasur dhe ka hipoteka për pandershmëri, vepra penale apo akuza”.
Ai ka shkruar se tkurrja e PDK-së, ka arritur pikën alarmante, për shumë arsye.
Sipas tij, dështimin ua ka paralajmëruar “votimi i vitit 2019. Na paralajmëroi pjesëmarrja jonë në rrëzimin e Qeverisë pa u bërë 100 ditë, na paralajmëroi diaspora, na paralajmëroi fushata parazgjedhore, na paralajmëruan emrat e kandidatëve skematik të PDK-së dhe qytetari i tmerruar nga mungesa e ndjenjës për ta dhe mirëqenien e tij”.
“Qytetarit nuk i mjaftoi historia, as fjalët e bukura. Atij i kanë munguar veprat. Ai të ndëshkon për ato që i bën keq dhe ato që nuk i ke bërë mirë. PDK ka bërë gabime për të pritur rezultat tjetër, për fat të keq, këtë e ndihmuan jo vetëm keqbërësit, por edhe karrieristët e regjur dhe profiterët vendorë e ndërkombëtarë. Ashtu siç jam zotuar, komuna e Drenasit, ishte, është dhe mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së, vijuese besnike e themeluesve të UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit”, ka shkruar Lladrovci në Facebook./Insajderi.com
Letër e hapur për Partinë Demokratike të Kosovës
Secili e di fillimin e vet politik, por, jo edhe fundin. Kjo çka ngjau…
Posted by Ramiz Lladrovci on Thursday, February 18, 2021