Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim që të rinumërohen votat në 12 vendvotime, njofton Insajderi.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e së enjtes në KQZ, ndërsa është rekomanduar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Burim Ahmetaj nga QNR ka thënë se ka mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit dhe formularë të pa plotësuar.
“Kemi të bëjmë me formularë të përputhjes të dhënave me rezultatet, me formularë të rezultateve të kandidatëve. Në disa raste kemi mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit.
Kemi raste kur mungon edhe vetë formulari, mirëpo shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e nënshkrimeve dhe me formularë të paplotësuar. Rekomandimi është që të gjitha këto vendvotime të shkojnë në rinumërim të plotë dhe jo të pjesshëm”, shtoi Ahmetaj.
Sipas KQZ-së vendvotimet që rinumërohen i takojnë disa komunave: Gjakovë (1); Fushë Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skenderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1)./Insajderi.com