Majko: Bashkimi kombëtar – histori që duhet mbyllur, Kurti të mendojë për drejtimin e Kosovës

Majko: Bashkimi kombëtar – histori që duhet mbyllur, Kurti të mendojë për drejtimin e Kosovës

Ministri i Shqipërisë për Diasporën, Pandeli Majko, thotë se referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri është një histori që duhet mbyllur dhe se tani prioritet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, duhet të jetë drejtimi i Kosovës, transmeton Insajderi.

Në një intervistë në ‘Euronews Albania’, ish-kryeministri Majko deklaroi se diskutime të tilla, krijojnë probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës dhe e cilësoi idenë e bashkimit kombëtar një ide që ka ekzistuar në shekullin e kaluar.

“Unë mendoj se Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Nuk ka pse krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga Kurti, por unë mendoj se diskutime të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës. E kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari”, tha ai.

Majko i bën thirrje Kurtit që duhet të fokusohet te forcimi i shtetit të Kosovës dhe të mos nxisë hapjen e diskutimeve të tilla pasi do të ndikojë negativisht për njohjet e reja ndërkombëtare.

“Një kryeministër nuk mund të aludojë për statuse të ndryshme për shtetin që ai do të drejtojë sepse Kosova është duke u njohur nga shtete të tjera. Nëse ata do të mendojnë se Kosova është duke bërë një jetë të dyfishtë kjo do nxiste shtetet e tjera, të ishin më të rezervuara për njohjen e Kosovës. Histori të tilla duhen mbyllur, ‘Vetëvendosja’ dhe lideri i saj duhet të mendojnë vetëm për një prioritet dhe ky është për drejtimin e shtetit të Kosovës”, ka shtuar Majko. /Insajderi.com