BE me projekt 7 milionë eurosh për të mbështetur vaksinimin në Ballkanin Perëndimor

BE me projekt 7 milionë eurosh për të mbështetur vaksinimin në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka nisur një projekt të ri rajonal me vlerë mbi shtatë milionë euro për të mbështetur vaksinimin e popullatave në Ballkanin Perëndimor, transmeton Insajderi.

Ky projekt do të ndihmojë për përgatitjen e rajonit për pritjen dhe administrimin efektiv të vaksinave COVID-19, përfshirë ato të marra nga ‘COVAX’ dhe përmes mekanizmit të BE-së për ndarje të vaksinave me Shtetet Anëtare të BE-së.

Siç bën të ditur zyra e BE-së në Kosovë, kjo do të ndihmojë edhe për përmirësimin e qëndrueshmërisë së rajonit ndaj emergjencave shëndetësore, si dhe do ta mbështesë rajonin në lëvizjen drejt financimit të qëndrueshëm për kujdesin shëndetësor universal.

“Aktivitetet do të përfshijnë, ndër të tjera, zhvillimin dhe testimin e planeve të gatishmërisë emergjente, trajnimin për profesionistë shëndetësorë dhe zhvillimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit për vaksinat”, thuhet në komunikatën e kësaj zyre. /Insajderi.com