Haliti: Ka të tillë që i paguajnë komisionerët e numërimit të votave

Haliti: Ka të tillë që i paguajnë komisionerët e numërimit të votave

Nënkryetari i Partisë Demokratike tw Kosovws dhe kandidati për deputet, Xhavit Haliti, ka thënë se ende nuk dihet se cilët kandidatë nga kjo parti kanë arritur të zgjidhen deputetë, njofton Insajderi.

Ai në “Imazh” të RTK-së, i ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave të cilat e kanë publikuar një listë të kandidatëve më të votuar të PDK-së, e në të cilën nuk është emri i tij.

Haliti tutje ka thënë se PDK-ja nuk ka rënie në Pejë, në komunën ku ai është kryetar i degës.

Ai tutje ka hedhur akuza ndaj komisionierëve që numërojnë votat e kandidatëve në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë.

“Ka plot prej atyre që paguajnë komisionerët që numërojnë votat. Edhe arushat e dijnë këtë. Ligji e ka legjitimu këtë. Është sikur unë të ulem me tre shokë dhe i bëjmë ato gjëra. Këtij ia shtojmë disa vota, atij ia marrim disa, e kështu me radhë”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, duhet të ketë transparencë në numërimin e votave, e jo kjo të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Haliti ka thënë se Kosova duhet t’i ketë të paktën shtatë zona zgjedhore ose të shkohet sipas sistemit mazhoritar.

“Edhe mbyllja e listave është më e mira, prandaj duhet të jetë një metodë e numërimit që mundëson jo manipulimin e numërimit. Të ketë edhe kamera gjatë numërimit që secila votë të shihet”, ka thënë Haliti./Insajderi.com