Kurti për dialogun: Nuk kompensojmë humbjet e Serbisë së Millosheviqit

Kurti për dialogun: Nuk kompensojmë humbjet e Serbisë së Millosheviqit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se me qeverisjen e tij, do të marrë pjesë në dialog, por nuk do të bie në grackë që negociatat të kuptohen me logjikën transaksionale, sipas së cilës “duhet dhënë diçka për diçka”, transmeton Insajderi.

Në një intervistë për të përditshmen kroate ‘Jutarnji list’, Kurti ka thënë se kjo logjikë ishte e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk e njeh Kosovën, por interesohet se çfarë është e gatshme të japë Kosova së pari.

“Më vjen keq, por kjo është teza e presidentit të Serbisë, i cili diplomatëve të huaj u thotë se në fund do ta njohë Kosovën, por së pari do të dijë se çka do të japë Kosova. Pra, ai dëshiron të dijë se çfarë është e gatshme Kosova për të dhënë, e në të njëjtën kohë nuk e njeh – ne nuk do të bimë në atë grackë. Duhet të dalim nga logjika transaksionale, në atë trans-atlantike dhe transformuese. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohen në barazi dhe reciporcitet. Le të jetë dialogu në të ardhmen serioz dhe i sinqertë dhe palët t’i paraqesin qëndrimet e tyre në mënyrë transparente dhe demokratike. Dialogu në të ardhmen duhet të vendoset në atë mënyrë që qytetarët të jenë përfitues, e jo në mënyrë që një politikan i caktuar ta ruajë fytyrën e një tjetër lëkurën. Për këtë arsye mendoj se duhet ta ndryshojmë qasjen e jo ta pranojmë logjikën ‘çka jep ti që të marr unë’. Siç ka thënë presidenti Biden, dialogu duhet ta ketë qëllim njohjen e ndërsjellë, e jo logjikën transaksionale, e cila solli edhe deri tek ideja për shkëmbimin e territorit”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se një marrëveshje do ta transformonte edhe Serbinë edhe Kosovën dhe, siç u shpreh ai, “13 vjet pasi Kosova u pavarësua, ka ardhur koha që tash edhe Serbia të pavarësohet nga Kosova”.

Derisa u pyet se çfarë mund të ofrojë Kosova, Kurti është përgjigjur se ai “nuk ka mirëkuptim për lotët për humbjet e Serbisë së Millosheviqit, e aq më pak për logjikën se tash këto humbje duhen kompensuar”.

Kurti ka thënë se Serbia e sotme duhet të distancohet nga Millosheviqi, e jo të kërkojë kompensim për humbjet e tij, sepse në këtë mënyrë prapë po identifikohet me atë politikë. /Insajderi.com