Brenda PDK-së kërkohet përgjegjësi për humbjen në zgjedhje: “S’duhet të rrijmë të heshtur”

Brenda PDK-së kërkohet përgjegjësi për humbjen në zgjedhje: “S’duhet të rrijmë të heshtur”

Brenda Partisë Demokratike të Kosovës po kërkohet përgjegjësi për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, derisa vlerësohet se reformat brenda partive nuk japin efektet e pritura, transmeton Insajderi.

Anëtari i Këshillit Drejtues të kësaj partie, Lirak Çelaj, thotë se kjo humbje nuk mund të kalojë në heshtje dhe se dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë rezultat.

Ai më tej ka përmendur edhe mundësinë për zgjedhje të brendshme të partisë.

“Vlerësoj se Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të rrijë e heshtur siç po rri tani. Është një humbje, debakël i partisë dhe duhet të ulemi të diskutojmë se çfarë ka ndodhur dhe çka duhet të veprohet. Dikush duhet të merr përgjegjësi. Ndoshta është ajo që e ka propozuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovcit që të dorëhiqet e gjithë Kryesia që do të ishte lajm edhe për elektoratin se ne e kemi marrë mesazhin dhe po mendojmë për këtë punë. Pra, dorëheqja e Kryesisë dhe zgjedhja e një kryesie të re do të duhej të ishte puna e parë. Por, mund të shqyrtohej edhe mundësia e zgjedhjeve të brendshme të partisë që do të mund të organizoheshin brenda një periudhe të caktuar”, deklaroi Çelaj për RTV Dukagjinin.

Ditë më parë Ramiz Lladrovci ka thënë se dështimi i PDK-së në zgjedhje ishte i paralajmëruar qysh nga viti 2019. /Insajderi.com