Hasani: Tensionimi i marrëdhënieve të SHBA-së e BE-së me Kinën e Rusinë forcon pozicionin e Kosovës në negociatat me Serbinë

Hasani: Tensionimi i marrëdhënieve të SHBA-së e BE-së me Kinën e Rusinë forcon pozicionin e Kosovës në negociatat me Serbinë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, është deklaruar lidhur me mundësinë e përfshirjes së Rusisë dhe Kinës në dialogun Kosovë-Serbi, për çka thotë se nuk beson që mund të ketë një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, transmeton Insajderi.

Sipas tij, pikëpamjet e Rusisë nuk janë vetëm në kundërshtim me pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, por janë edhe në konflikt me ta.

“Amerika dhe Evropa e shohin Kosovën si një çështje të sigurisë që është pjesë e skemës së sigurisë Euro-Atlantike. Ata duan që problemi i Kosovës të zgjidhet si pjesë e sigurisë Euro-Atlantike, në të cilën Rusia dhe aktorët e tjerë nuk mund të luajnë ndonjë rol, kështu që thirrja e një konference ndërkombëtare është jashtë diskutimit”, tha Hasani për REL në gjuhën serbe.

Sipas tij, aktualisht Kosova nuk është një problem i sigurisë që do të kërcënonte stabilitetin rajonal dhe më të gjerë siç ishte nën Millosheviqin.

“Tani është më shumë çështja e demokracisë dhe zhvillimit të Kosovës si shtet dhe shoqëri. Qëllimi është të formatojmë Kosovën në përputhje me standardet perëndimore, Euroatlantike. Nëse do të zgjidhnim çështjen e njohjes me Serbinë, ajo do të pasohej nga njohja e anëtarëve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani. Unë pres që pas ndryshimit të administratës në Uashington, kjo njohje do të vijë edhe më herët. Kjo do të ngushtonte hapësirën për manovrim të Rusisë, e cila po përpiqet të destabilizojë këtë zonë duke përdorur Serbinë si një agjent të paqëndrueshmërisë së mundshme”, tha ai.

Sipas tij, tensionimi i marrëdhënieve midis SHBA-së e BE-së nga një anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër forcon pozicionin e Kosovës në negociatat me Serbinë dhe dobëson pozicionin e Serbisë.

“Mendoj se përkeqësimi i marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Rusisë dhe Kinës forcon pozicionin e Kosovës në negociatat me Serbinë dhe dobëson pozicionin e Serbisë. Siç e kam thënë tashmë, për Kinën çështja kryesore është tregu dhe ajo ka probleme me Perëndimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për biznesin. Nuk besoj se kjo mund të çojë në konfrontime ushtarake. Kina nuk ka forcë për të vepruar ushtarakisht jashtë sferës së saj të interesit. E njëjta gjë vlen për Rusinë. Sidoqoftë, Rusia është tradicionalisht e pranishme në vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore, ku ajo pak a shumë luan rolin e një fuqie të vogël. Kjo është arsyeja pse Perëndimi po përqendrohet në problemet e brendshme të Rusisë në mënyrë që të parandalojë përpjekjet e saj për të rinovuar interesat e ish-perandorisë Sovjetike”, tha Hasani.

“Serbia qartë është përcaktuar për rrugën evropiane dhe kjo do të ketë një çmim për Serbinë në kuptim të njohjes përfundimtare të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran. Edhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, herët a vonë do të përcaktohen për njohje të plotë”, tha Hasani. /Insajderi.com