Balje për votat “e kontrabanduara”: Po përgatis ankesë për PZAP dhe Kushtetuese

Balje për votat “e kontrabanduara”: Po përgatis ankesë për PZAP dhe Kushtetuese

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje, është duke përgatitur ankesën e saj me të cilën do t’i drejtohet Panelit Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave dhe Gjykatës Supreme e asaj Kushtetuese, lidhur me votat që dyshohet se janë “kontrabanduar” me anë të ndërhyrjes së Beogradit nëpërmjet Listës Serbe.

Këtë e ka thënë vetë Balje në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, ku shton se “ka alarmuar shtetin” edhe në procesin parazgjedhor për një ndërhyrje të tillë.

Komuniteti boshnjak dhe rom, thotë Balje, janë atakuar në zgjedhje, meqë po krijohet një përfaqësim i imponuar i komuniteteve pakicë, në dëm të përfaqësuesve legjitim të këtyre komuniteteve dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Tash jam duke përgatitur ankesën për PZAP gjithashtu ankesa për Gjykatën Supreme dhe atë Kushtetuese. Në këto zgjedhje ata kanë bërë atak në komunitetin boshnjak dhe rom”, thotë Balje duke shtuar se ka frikë që “apetiti i tyre (serbëve) në këtë aspekt ende nuk ka përfunduar”.

Sipas saj, sulmi ndaj komunitetit të cilin e përfaqëson nuk ka përfunduar me kaq.

Balje në këtë betejë me deformuesit e vullnetit të votuesve, thotë se nuk është e vetme.

“Janë të gjitha Organizatat Jo-qeveritare të boshnjakëve, dhe  organizatat që thirren për të mbrojtur të drejtat e njeriut”.

“Nëse shteti e lejon që të ndodhë kjo, gjë që ne na frikëson, do të humbë koncepti mulitienik në politikë”, ka thënë liderja e USD-së.

Ditë më parë, Balje ka akuzuar Adriana Hoxhiqin nga Partia Komuniteti i Bashkuar se kanë fituar vota duke bashkëpunuar me Listën Serbe.

Sipas saj, iniciativa e Hoxhiqit është krijuar nga një plan i LS-së.

“Iniciativa e Adriana Hoxhiq që është formuar me planet e Listës Serbe. Ata kanë fituar shumicën e votave. Ne nuk kemi pasur mundësi me e luftu atë”, ka thënë Balje në një intervistë televizive, duke shtuar se Hoxhiq ka marrë vota edhe nga qytetet ku nuk jeton asnjë boshnjak, por vetëm serbët.

“Kjo ka qenë pjesë e një plani nga Lista Serbe. Ne nuk kemi as fuqi për të luftuar kundër Serbisë. Jemi të gatshëm që të bëjmë ankesa edhe në PZAP edhe në institucione tjera. Shteti duhet të na ndihmojë”, ka thënë më tutje ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Hoxhiq, e cila tha se Balje ka gënjyer për lajmet që partia e saj bashkëpunon me Listën Serbe.

Për rastin ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Ata po kërkojnë që të bëhet rinumërimi i votave në të gjitha vendvotimet ku supozohet se ka pasur vota “të dyshimta”./Insajderi.com