Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur rinumërimi i 494 vendvotimeve. Këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pas fillimit të rinumërimit ka treguar arsyet se përse këto vendvotime kanë shkuar në rinumërim.
“1. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve.
- Gjatë procedimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.
- Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.
- Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas”, tha Elezi.
Në përgjithësi, numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë dhe 12 vendvotimet e rinumëruara javën e kaluar, është 506 vendvotime./Insajderi.com