Lëkundet koalicioni qeveritar në Maqedoninë e Veriut

Lëkundet koalicioni qeveritar në Maqedoninë e Veriut

Çdo ditë e më shumë po lëkundet shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zhvillimet më të reja brenda koalicionit qeveritar në vendin fqinj kanë shkaktuar edhe dëshpërime dhe akuza mes partnerëve aktual dhe tek vetë kryeministri Zoran Zaev, njofton Insajderi.

Partia Liberal Demokrate së fundmi vendosi që dy deputetët e saj të veprojnë të pavarur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Bëhet fjalë për deputetët Monika Zajkova dhe Bobi Mososki, të cilët nuk do të jenë më pjesë e grupit parlamentar të drejtuar nga LSDM. Kjo nuk do të thotë që ata braktisin edhe koalicionin, por edhe një gjë e tillë mbetet e pasigurtë.

“Si parti kemi sjellë vendim që para shtatë muajve për veprim të pavarur në Kuvendin për arsye të përfaqësimit më të mirë të vlerave liberale dhe hapësirë më të madhe për veprim për dy deputetët tanë. Kjo për ne paraqet veprim demokratik dhe nuk është e lidhur me tema ditore politike. Kemi lënë hapësirë të mjaftueshme për implementimin e këtij vendimi. PLD si dhe deputetët e saj do të vazhdojnë të përkrahin qeverinë dhe kjo do të konfirmohet me votimin  për besim të ministrave Lupço Nikollovski dhe Bojan Mariçiq” thonë nga PLD-ja.

Por një vendim i këtillë i PLD-së ka shkaktuar pakënaqësi te partneri më i madh i koalicionit, kryeministri i vendit fqinj Zoran Zaev, i cili vendimin e ka quajtur si goditje ndaj LSDM-së. Madje vetë Zaev e ka ndërlidhur këtë rast me momentumin politik kur opozita për flet çdo ditë për rrënimin e shumicës dhe krijimin e një shumice të re në Kuvendin e RVM-së.

“Është e drejtë e PLD-së ti sjellë vendimet për veprimin e tyre në Kuvend. Ne dje komunikuam përmes sekretarit general të LSDM-së dhe thamë se kjo që e bën PLD është goditje ndaj LSDM-së. Mund të prisnin 15 ditë, nuk duhej ta bënin tani. Ne këtë e ndjejmë si goditje ndaj koalicionit” tha Zaev.

Ai megjithatë beson se shumica aktuale ka ende 62 votat dhe se koalicioni qeveritar mbetet stabil.

Me një qëndrim të këtillë mëngjesin e sotëm doli edhe partia të cilën e drejton Zaev, LSDM, prej ku thonë se është e drejtë e PLD-së të vendosë se si do të paraqitet para opinionit, ndërsa sigurojnë se shumica është stabile.

Por, këto zhvillime vijnë në një kohë kur partia më e madhe në opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE dhe kryetari i saj, Hristijan Mickoski, paralajmërojnë se është çështje ditësh kur kjo shumicë do të rënohet dhe në Kuvend do të formohet shumicë e re.

Madje, nga kjo parti thonë se tanimë kanë siguruar 62 votat e nevojshme kundër Qeverisë dhe se po punojnë për të arritur në 65 deputetë.

Dy deputetët e PLD-së do të jenë kyç për të mbajtur shumicën aktuale e cila edhe ashtu është në këmbë të qelqta. Me largimin eventual të dy deputetëve, koalicioni mbetet me 60 vota në Kuvend që është për një më pak se shumica e nevojshme për të votuar Qeverinë ose çdo vendim tjetër në interest ë shumicës dhe Qeverisë aktuale. /Insajderi.com