Krasniqi: Situata me pandeminë COVID-19 është stabile

Krasniqi: Situata me pandeminë COVID-19 është stabile

Situata me pandeminë COVID-19 po vlerësohet stabile nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, njofton Insajderi.

Krasniqi në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se situata është e qetë që nga janari.

“Kohëve të fundit kemi një gjendje më stabile, më të qetë sa i përket pandemisë me COVID-19, në Kosovë. Në fakt që nga 1 janari po mbushen dy muaj që kemi situatë më të qetë, për faktin se kemi numrin më të vogël të rasteve të reja të infektuarve dhe kjo përcillet pastaj me numrin më të vogël të pacientëve që kemi të shtrirë nëpër klinika të QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme”, ka thënë ai.

Ai bëri të ditur se gjatë muajit nëntor dhe dhjetor, numri i pacientëve me COVID-19 të shtrirë nëpër spitale ka qenë më i lartë.

“Në fakt ne gjatë muajit nëntor dhe dhjetor kishim numrin më të madh të rasteve kur kishim arritur deri në 1 mijë e 10 pacientë që kishim të shtrirë nëpër klinika, kurse aktualisht numri i të shtrirëve në dy muajt e fundit sillet rreth 500 pacientë”, potencoi ai.

Krasniqi tha se sipas raportit të fundit në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 521 pacientë me COVID-19.

“Nga raporti që sapo mora nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme kemi 521 pacientë gjithsej të shtrirë në nivel vendi, nga ta 30 janë në gjendje më të rëndë, që janë duke u trajtuar në reparte intensive. Gjashtë nga ta janë në gjendje kritike, janë të intubuar të kyçur në respirator dhe 24 pacientë janë me metodën e asistimit të vetilimit mekanik. Ndërkohë, 360 pacientë i kemi me oksigjeno-terapi të vazhdueshëm. Pra, gjendjen e kemi më stabile dhe ky numër është duke u sjell rreth 2 muaj me radhë tani”, është shprehur Krasniqi./Insajderi.com