Shtatë nga tetë personat që dyshohen të jenë përfshirë në sulmin fizik që iu bë të hënën djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, kanë dalë sot para gjykatës.
Personi i tetë i dyshuar për këtë rast është i mitur.
Lajmin për Insajderi-n e ka konfirmuar, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Gashi ka bërë të ditur se seanca dëgjimore ka filluar në orën 10:30 dhe të dyshuarit kanë dalë para gjykatës në Graçanicë, meqenëse rasi ka ndodhur në atë komunë.
Djali i ish-ministrit në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq, është sulmuar fizikisht të hënën e 22 shkurtit, derisa po dilte nga shkolla.
Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar paraburgim për të dyshuarit që janë përfshirë në rast./Insajderi.com