Imri Ahmeti mohon se po zhvillohet aksion policor në Komunën e Lipjanit

Imri Ahmeti mohon se po zhvillohet aksion policor në Komunën e Lipjanit

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka mohuar se po zhvillohet aksion i Policisë së Kosovës në këtë komunë.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Insajderi-n se një operacion policor është duke u zhvilluar në disa lokacione dhe rajone të ndryshme të vendit.

Në mesin e disa komunave, dyshohej se aksioni kishte filluar edhe në Lipjani, por i pari i komunës tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar.

“Unë nuk kam asnjë informacion zyrtar për një operacion të tillë. Mund ta arrestojnë dikë për çështje të tjera, por jo që lidhen me komunën. Jam në punë, në administratë, dhe nuk është duke u zhvilluar asnjë aksion”, ka thënë Ahmeti për Insajderi-n.

Kujtojmë se, trupat e Njësisë Speciale janë duke zhvilluar aksion në Komunën e Istogut.

Sikurse në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ku u arrestuan disa zyrtarë përfshirë edhe kreun e saj, arrestime pritet të ketë edhe në Istog./Insajderi.com