Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas aksionit policor i cili u zhvillua të mërkurën në disa rajone të ndryshme të vendit, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se fajtorët duhet të marrin dënim maksimal.
Ai ka shtuar se ata të cilët kanë mashtruar me subvencione bujqësore nuk e meritojnë të jenë në institucione të shtetit.
“Pres hetim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të shpejtë ndaj kujtdo që është i përfshirë në rastin e subvencioneve bujqësore. Fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka shkruar kryeministri Hoti në Facebook.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës ka nisur një operacion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ky aksion është zhvilluar edhe në disa komuna tjera të Kosovës si Istog, Lipjan, Podujevë e Gjilan. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, 10 prej tyre zyrtarë shtetërorë.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe disa zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka njoftuar se të arrestuarit dyshohen për disa vepra penale si: marrje dhe dhënie ryshfeti, keqpërdorim të subvencioneve etj.
Ai po ashtu ka thënë se gjatë këtij operacioni janë konfiskuar një sasi e parave (rreth 400 mijë euro), vetura, laptopë e kompjuterë./Insajderi.com
Pres hetim te plote, gjitheperfshires dhe te shpejte ndaj kujtdo qe eshte i perfshire ne rastin e subvencioneve…
Posted by Avdullah Hoti on Wednesday, February 24, 2021