Ndotja e ajrit mbetet një nga problemet më të mëdha me të cilat po përballet Kosova, por që një rrezik i tillë është duke u nënvlerësuar, transmeton Insajderi.
Kështu thotë profesori i Shkencave të Mjedisit, Sami Makolli, i cili shton se rregullimi i kësaj çështje është në fund të listës së prioriteteve të qeverisë.
“Ajri në përgjithësi në Kosovë është një rrezik i cili po nënvlerësohet. Niveli i limiteve të lejuara në Prishtinë është gjashtë herë mbi normat e lejuara gjatë dimrit dhe kjo na pret në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe bënë jetën e vështirë në qytet. Prishtina në kohën e sezonit të dimrit kur fillojnë mjegullat hynë në grupin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë. Gjendja është duke u përkeqësuar çdo vit sepse ne si shoqëri kemi probleme edhe në fushën e arsimit, të shëndetësisë, ekonomisë dhe kjo po e bënë që mjedisi të jetë në fund të listës së prioriteteve të qeverisë dhe të partive politike duke e vendosur mjedisin në këtë prioritet atëherë mund të konkludojmë që gjendja po shkon duke u rënduar për faktin se kërkesa për energji po rritet, kërkesa për vendbanime”, ka thënë Makolli për EO.
Makolli theksoi se krejt çka duhet të bëjnë qytetarët është që të vendosin maskat që të mbrohen prej COVID-it dhe ndotjes së ajrit.
“Nuk ka një masë që krijon mrekulli për cilësinë e ajrit ashtu sikur që flasim për zhvillimin e sektorëve të tjerë edh mjedisi është shumë kompleks për tu përmirësuar. Nuk ka një masë që është e shpejtë dhe përmirëson ajrin. Krejt çka duhet të bëjnë qytetarët është që të vendosin maskat që të mbrohen prej Covidit dhe ndotjes së ajrit. E pastaj se çfarë do të bëjë Qeveria këto masa mund të jenë afatshkurtra dhe afatgjata. Dhe duke u nisur prej heqjes dorë të qymyrit, mundësinë e zëvendësimit të lëndëve djegëse nëpër shtëpitë dhe oxhaqet tona dhe rregullimi i komunikacionit janë procese që marrin kohë dhe vite”, tha ai.
Makolli shtoi se cilësia e ajrit gjatë pranverës dhe verës do të sjellë përmirësime të dukshme.
Sipas tij, Kosova është vendi me cilësinë më të dobët të ajrit.
“Cilësia e ajrit gjatë pranverës dhe verës do të ketë përmirësim të ajrit. Së paku nuk do të jetë në shumëfishin e ndotjes siç po na ndodh tani në sezonin e dimrit. Marrë në përgjithësi Kosova është e ekspozume si vendi me cilësinë e ajrit të dobët për faktin që komunikacioni është aq i parregullt, numri i veturave është aq e madhe dhe termocentrale të vjetërsuara”, përfundoi ai. /Insajderi.com