PDK në Istog shkarkon kryetarin dhe kryesinë

PDK në Istog shkarkon kryetarin dhe kryesinë

Këshilli Drejtues i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Istog ka shkarkuar kryetarin e kësaj dege, Lulzim Shoshi dhe të gjithë kryesinë, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga këshilli kanë bërë të ditur se këtë vendim e kanë marrë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Këshilli si ndër arsyet për shkarkimin e Shoshit ka radhitur “keqmenaxhimin e degës, përçarjen e të gjitha strukturave të saj nga vetë kryetari, arrogancë e tepruar ndaj secilit anëtar, mungesa e plotë e aktivitetit të degës në të gjitha nivelet, ngufatja e debatit të brendshëm, qëndrimi në bashkëqeverisje me LDK pa një marrëveshje të shkruar, ku edhe sot e kësaj ditët nuk dihen parimet e qeverisjes së përbashkët, ku nga kjo marrëveshje më së paku janë implementuar politikat e PDK-së”.

PDK dega në Istog thekson se iniciativa për dorëheqje në shenjë pakënaqësie për kryetarin Shoshi ka filluar muaj më herët nga strukturat e degës.

“Si reagim ndaj udhëheqjes, si dhe përformancës së dobët, patën dhënë dorëheqje 8 anëtarë të kryesisë së degës, prej tyre edhe Kryetarja e Gruas Demokratike, Kryetarja e Rinisë Demokratike, duke gjetur përkrahjen kështu edhe të 4 asamblistëve që i ka dega, po ashtu 2 prej 3 drejtorëve që janë pjesë e qeverisë komunale etj.

Mirëpo edhe përkundër kërkesave të tyre dhe të gjitha strukturave tjera, kryetari Shoshi nuk dëshironte të dëgjonte këto thirrje, duke vazhduar me arrogancë ndaj çdo zëri dhe kërkese brenda strukturave të partisë. Shkaku i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për shkak të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, strukturat drejtuese të degës e stopuan këtë iniciativë përkohësisht deri pas përfundimit të zgjedhjeve, me qëllimin e vetëm që mos të ndikohej rezultatin e këtyre zgjedhjeve, edhe pse nga ne, rezultat ka qenë i pritur”, thuhet në njoftim./Insajderi.com