Lajçak sërish reagon për hartën: Ja pse dialogu Kosovë-Serbi është kaq i rëndësishëm

Lajçak sërish reagon për hartën: Ja pse dialogu Kosovë-Serbi është kaq i rëndësishëm

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar sërish për hartën në zyrën e tij ku Kosova shihej si “pjesë” e Serbisë, njofton Insajderi.

Me anë të një komenti në llogarinë e tij në Twitter, Lajçak ka përmendur rëndësinë e normalizimit të raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Kjo pas reagimeve të shumta që pasuan drejt tij, lidhur me paraqitjen e tij në një intervistë, ku prapa tij figuronte harta, e cila e bënte Kosovën pjesë të Serbisë.

”Dhe sot është një shembull pse Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kaq i rëndësishëm. Kështu që çështje të ngjashme nuk do të shkaktojnë më keqkuptime”, ka shkruar ai.

Parakëtij komenti, Lajçak reagoi se harta pas tij e shumëpërfolur është keqinterpretuar.

Ai tha se ajo hartë është zyrtare e Bashkimit Evropian dhe aty gjendet edhe linja që e ndan Kosovën nga Serbia.

“Ndërsa harta në zyrën time në ekranin e paqartë të intervistës sime ka shkaktuar disa keqkuptime sot, unë po ndaj një foto të afërt të saj. Ishte një hartë zyrtare e BE e Ballkanit Perëndimor. Kosova është atje dhe po ashtu është linja që ndan Kosovën nga Serbia”, ka thënë Lajçak. /Insajderi.com