Në Gjykatën penale në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup u mbajt seanca përfundimtare për rastin “Target-Fortesa”.
Gjykatësit thanë se kjo lëndë është një nga më të rëndësishmet në Maqedoninë e Veriut.
Ish-drejtori i zbulimit, Sasho Mijallkov, u dënua gjithsej me 12 vjet burg, ndërsa ish-ministrja e Punëve të Brendshme e RVM-së, Gordana Jankullovska është dënuar me 4 vjet burg.
Prokurorja e lëndës Lençe Ristovska pas shqiptimit të dënimeve për rastin “Target-Fortesa” deklaroi se është e kënaqur nga vendimi i gjykatës.
“Në tërësi jemi të kënaqur nga vendimi ngase u konfirmuan të gjitha pretendimet e prokurorisë. Në lidhje me paraburgimin, kemi vlerësuar se ekzistojnë baza për paraburgim ngase ekziston mundësia e arratisjes, ndërsa sot kemi elaboruar edhe paralajmërime tjera për ikje të mundshme”, ka thënë Ristovska.
Gjykata ka vendosë që Mijallkov të dërgohet në në burg, pas shpalljes së aktgjykimit në këtë rast. Arsyeja për vendimin e gjykatës, ishte pasi ekziston rreziku se Mijallkov mund të arratiset, nëse dërgohet në arrest shtëpiak.
“Pranohet propozimi i Prokurorisë. Masa e arrestit shtëpiak zëvendësohet me masën e paraburgimit, deri në vendimin e plotfuqishëm, më së shumti 60 ditë”, tha këshilli gjyqësor, pas shpalljes së aktgjykimit.
Prokurorja Lençe Ristoska, tha se ai mund të arratiset dhe të ketë qëndrim ligjor në Pragë, ku edhe ka pasuri. Sipas saj, arresti shtëpiak nuk është masë e mjaftueshme për Mijallkovin. /Insajderi.com