Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, dikaster ky që i konsideron partitë shqiptare si nacionaliste, transmeton Insajderi.
Me anë të një komunikate për media, MPJ thotë se Rusia po synon të rrënojë ndikimin perëndimor e të imponojë ndikimin e saj në rajon.
Në këtë komunikatë MPJ konsideron se të gjitha partitë shqiptare në Kosovë kanë orientim të qartë pro-perëndimor dhe Euro-Atlantik.
Madje, përmend edhe “ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në proceset e ndryshme në të cilat ka kaluar Kosova që nga shpallja e Pavarësisë”.
Sipas kësaj ministrie, Rusia gjithmonë është përpjekur të pengojë arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.
“Javën e kaluar, Republika e Kosovës ka shënuar 13 vjetorin e mëvetësisë së saj. Edhe pse Rusia ka qenë e përfshirë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës bashkë me 5 vende të tjera të Grupit të Kontaktit, në fund prishi konsensusin duke kërcënuar me VETO çdo rezolutë në KS të OKB që do të mundësonte krijimin e shtetit të Kosovës. Më 2010 Rusia sërish doli kundër opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, edhe pse Serbia, me mbështetjen e Rusisë kishte insistuar përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB për një opinion nga GJND”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Një ditë më parë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka publikuar një fotografi me mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’, duke shtuar se përpjekja për të normalizuar në formë të përshpejtuar raportin mes Prishtinës dhe Beogradit, është shkatërruese.
“Ne e konsiderojmë çdo përpjekje për të përshpejtuar të ashtuquajturën normalizim përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe vendosjen e një afati kohor arbitrar për arritjen e kësaj si shkatërruese. Është më e rëndësishme të koordinohet një plan i zbatueshëm që gjithashtu do të pranohet nga publiku”, shkroi Zakharova në rrjetin social Twitter. /Insajderi.com