Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, e ka shkarkuar nga pozita e sekretarit, Izedin Bytyqin, për ta emëruar në këtë pozitë Zymer Avdullahun.
Ky i fundit menjëherë pasi mori detyrën e ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës që e pati kthyer në punë Nexhat Krasniqin.
Krasniqi në dhjetor të vitit 2020 kishte arritur të kthehet në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, në kuadër të DFHH, përkundër se më nëntor të 2019 Gjykata Supreme kishte marrë vendim që Krasniqi të mos “kthehet në detyrë”.
Ai ishte larguar nga puna, bazuar në Aktgjykimin të Gjykatës Themelore të Prishtinës i datës 21 shtator 2015, me të cilin është dënuar me dy vjet e dy muaj burgim, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”,
Por, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte marrë vendim ta kthejë në punë Nexhat Krasniqi, pas ankesës së këtij të fundit.
Krasniqi kishte qenë një kohë të gjatë shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Ai pas akuzave ndaj tij ishte përballur me sekretariatin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Gjykatën Supreme.
Për Krasniqin ishin ngarkuar akuza për “keqpërdorim të detyrës”. /Insajderi.com