Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Gjermani më 3 dhe 4 mars, gjatë së cilës do të takohet me homologun gjerman, Heiko Maas dhe këshilltarin e kancelares Angela Merkel, Jan Hecker, transmeton Insajderi.
Temat kryesore të bisedimeve në Berlin pritet të jenë bashkëpunimi dypalësh midis Serbisë dhe Gjermanisë, si dhe integrimi evropian i Serbisë, çështja e Kosovës dhe dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe lufta kundër Coronavirusit.
Siç raporton e përditshmja serbe ‘Tanjug’, kryediplomati serb dhe ai gjerman do të flasin të enjten pasdite dhe pas takimit, të dy ministrat kanë planifikuar të mbajnë konferencë për shtyp.
Në mes të muajit shkurt, në një intervistë për medien serbe ‘Kurir’, ministri gjerman Maas tha se rregullimi i marrëdhënieve të pazgjidhura midis Prishtinës dhe Beogradit është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe se afatet ose dinamika e paracaktuar për anëtarësimin në Bashkim nuk ekzistojnë, por se do të ishte mirë që negociatat me Serbinë të jenë më dinamike.
Të enjten, Selakoviq do të bisedojë gjithashtu me këshilltarin e politikës së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker, si dhe me Johan Wadeful – anëtar i Bundestagut dhe kryetarin e Grupit Punues të Unionit CDU / CSU për Ballkanin Perëndimor. /Insajderi.com