Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicolas Abbott, ka komentuar rreth vizitës tre-ditore të Emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Kosovë, njofton Insajderi.
Abbott thotë se sa i përket çështjes së dialogut, Britania e Madhe ndanë të njëjtat pikëpamje me fituesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti, se dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë, parimor dhe i koordinuar midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Isha i kënaqur kur pashë që vizita e Miroslav Lajčák për të diskutuar dialogun Kosovë-Serbi ka shkuar mirë. Mbretëria e Bashkuar ndan pikëpamjen e tij dhe të Albin Kurtit se dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë, parimor dhe i koordinuar midis BE dhe SH.B.A”, ka shkruar Abbott në llogarinë e tij në Facebook.
Ai tutje shprehet se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë arritjen e një marrëveshje që mbështet njerëzit e Kosovës dhe rajonit. /Insajderi.com