Është rritur numri i personave të arrestuar, që kanë marrë pjesë në protestën e së premtes për rastin “Monstra” në Maqedoninë e Veriut, njofton Insajderi.
Janë parashtruar edhe dy padi penale ndaj dy personave, 19 dhe 22 vjeçar, për pjesëmarrje në turmë për kryerjen e veprës penale, ndërkaq pritet të parashtrohen edhe ndaj tre të tjerëve, njëri i moshës 23 vjeçare dhe dy të moshës 20 vjeçare. Të njëjtit janë identifikuar tashmë se kanë kryer veprën e njëjtë penale.
Edhe organizatori i protestës, Blerim Ahmedi, ëshët thirrur të mërkurën në polici për bisedë informative.
Ai ka thënë se si organizator nuk mban përgjegjësi për eskalimin e situatës sepse ai ka bërë thirrje për protestë të qetë. Ndërsa, shtoi se tensionimi i situatës ndodhi përshkak të provokimit të vetë policisë.
Avokati i tij, Asmir Alispahiq, ka deklaruar se do të drejtohen deri tek të gjitha organizatat joqeveritare për atë se është mohuar e drejta e protestës së qetë.
Ai ka shtuar se çka ka ndodhur më tej në përfundimin e protestës, është përgjegjësi individuale.
Policia ka arrestuar gjithsejtë 12 persona që kanë marrë pjesë në protestë, në paraburgim janë tetë prej tyre.
Megjithatë siç kanë thënë nga policia, ky numër mund të jetë në rritje, pasi kanë video incizime të shumta nga protesta.
Më datë 26 shkurt, shumë qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi për rastet e montuara ndaj shqiptarëve./Insajderi.com