Jetoni nga Prishtina kishte planifikuar që në fillim të vitit 2020 ta surprizojë të dashurën e tij duke i propozuar martesë. Dashurinë e tyre disa vjeçare, kishte planifikuar ta kurorëzonin. Por, pandemia ua prishi planet.
Derisa kishte porositur një unazë unike për tashmë ish të dashurën e tij, në Kosovë u konfirmuan rastet e para me COVID-19.
Brenda pak ditëve vendi u izolua. Kjo bëri që komunikimi në distancë i dyshes të shoqërohet me keqkuptime dhe tension.
Jetoni në një intervistë për Insajderi-n, derisa rrëfente për historinë e tyre të dashurisë, tha se çifti vendosi t’i japë fund romancës së tyre pas tri javësh komunikim në distancë.
Jetoni dhe ish e dashura e tij nuk janë çifti i vetëm që dashuria u iku, kur erdhi virusi.
Numri i kurorëzimeve ka rënë ndjeshëm në gjithë Kosovën.
Kjo rënie në vitin “pandemik” dëshmohet me të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Gjatë 2020-tës gjithsej 12 mijë e 793 çifte kanë vendosur t’i japin fund beqarisë dhe dashurinë ta kurorëzojnë me martesë.
Ndërsa, një vit më herët (2019), jo më pak se 17 mijë e 852 çifte ishin kurorëzuar, apo 28 për qind më shumë se në vitin 2020.
Pra dallimi është, pesë mijë e 59 kurorëzime më pak.
Meqë kanë rënë kurorëzimet, kanë rënë edhe dasmat.
Krahasuar me vitet e kaluara, 2020-ta është i dështuar pasi nuk ka pasur asnjë dasmë, thotë në një intervistë për Insajderi-n këngëtari Afrim Muçiqi.
Ai pohoi se “është e tmerrshme se si qeveria nuk po e lejon organizimin e dasmave”. Sipas Muçiqit, kjo është dhe arsyeja kryesore pse njerëzit nuk janë kurorëzuar.
“Është shqetësuese rënia e numrit të martesave. Nëse dasmat do të lejoheshin, numri i të infektuarve nuk do të rritej. Ndryshe është kur në një aheng grumbullohen rreth 200 persona që janë familjarë mes vete, dhe ndryshe kur në fushata janë grumbulluar të panjohur”.
Ai shtoi se të gjitha dasmat e planifikuara të mbahen në vitin 2020 kanë kaluar në vitin 2021.
“Ne presim që dasmat t’i mbajmë këtë vit. Sepse kur politikanët mbajnë tubime në fushata zgjedhore me qindra njerëz, ku është logjika që dasmat të mos lejohen.
Është standard i dyfishtë sepse virusi ka kaluar. Infektuesit më të mëdhenj janë politikanët, sepse për shkak të fushatës shifrat e të infektuarve janë rritur shumë”.
Muçiqi tha se do të presin se çfarë vendime do të marrë qeveria në vazhdim dhe në rast se ju pengohet sërish puna do të marrin masa.
Se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i anuluar të gjitha ahengjet familjare ka qenë shkak i uljes së numrit të martesave në vitin 2020 e thotë edhe Besmir Mehmetaj, menaxher i restorantit “Ulpiana” në Istog.
Ai për Insajderi-n deklaroi se shumica e rezervimeve për dasma gjatë vitit 2020 në këtë restorant janë shtyrë për vitin 2021.
“Gjatë një viti organizojmë diku rreth 30-40 dasma. Por, për shkak të pandemisë, vitin që lamë pas nuk kemi organizuar asnjë dasmë, as në restorant e as nëpër shtëpi”, ka thënë Mehmetaj.
Qeveria në detyrë e Kosovës më 15 janar 2021 ka miratuar masat e fundit kundër COVID-19.
Ndonëse disa prej masave janë liruar si p.sh kufizimi i lëvizjes, zgjatja e orarit të gastronomisë etj, megjithatë organizimi i dasmave akoma mbetet i ndaluar.
Në pikën 11 të vendimit të Qeverisë thuhet:
“Të gjitha institucioneve publike (qendrore dhe lokale), organizatave, bizneseve dhe subjekteve private pa asnjë përjashtim, iu ndalohet organizimi i çfarëdo ceremonie festive”./Insajderi.com