Rugova: Garda kanceroze që e fundosi LDK-në po synon një kryetar formal

Rugova: Garda kanceroze që e fundosi LDK-në po synon një kryetar formal

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka kritikuar udhëheqjen e kësaj partie, të cilën e ka quajtur “garda kanceroze”, njofton Insajderi.

Sipas Rugovës, kjo udhëheqje “e cila e ka fundosur LDK-në”, po synon një kryetar të ri formal, “dikë që mund ta kontrollojnë, sepse nuk e kanë synim fuqizimin e LDK-së, por vetëm interesin e ngushtë të tyre”.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se një marrëveshje në tavolinë nuk është reformë, por është marrëveshje për ndarje të pushtetit, sistemim interesash të klaneve të ndryshme.

“Edhe 8 ditë deri në Kuvendin zgjedhor dhe akoma vazhdon heshtja dhe terri. Një marrëveshje në tavolinë nuk është reformë, por është marrëveshje për ndarje pushteti, sistemim interesash të klaneve të ndryshme në stilin kush i pari, kush i dyti, ku jam unë dhe ku është ai tjetri. Garda kanceroze që e fundosi LDK-në po synon një kryetar formal, dikë që mund ta kontrollojnë, sepse nuk e kanë synim fuqizimin e LDK-së, por vetëm interesin e ngushtë të tyre. Si nuk kanë turp këta njerëz? A ngopen ndonjëherë?”, ka shkruar Rugova.

LDK-ja do t’i mbajë zgjedhjet për kryetar të partisë në Kuvendin zgjedhor që është vendosur tashmë se do të mbahet me datë 14 mars./Insajderi.com