Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar të gjithë mësuesit me rastin e festës së 7 marsit, njofton Insajderi.
Meta ndodhet në qytetin e Korçës nga ku e ka cilësuar profesionin e mësuesit si shumë fisnik, teksa ka nënvizuar se është e rëndësishme që gjeneratat të përqendrohen në edukimin patriotik dhe atdhetar.
“I shprehim mirënjohjen e thellë të gjithë mësuesve, edukatorëve, pedagogë për kontributin. Kujtojmë plejadën e mësuesve që jetën e tyre ia kushtuan edukimit të brezit të ri. Të gjithë mësuesit tanë, sidomos ato në shkollat rurale, meritojnë mbështetje më të madhe. Të rinjtë fatkeqësisht kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi”, ka thënë ai.
“Ndaj duhet të bëjmë më shumë që rinia jonë ta ndërtojë këtu të ardhmen e saj në vendin tonë të mrekullueshëm. Profesioni i mësuesit është shumë fisnik. Kemi kaq shumë mësues të thjeshtë që sakrifikojnë pavarësisht vështirësive që ndeshin. Sot është një ditë e jashtëzakonshme për të nderuar Petro Nini Luarasin, i cili ndoqi rrugën e Pandeli Sotirit ‘Ma mblidhni gjakun që të shkruajnë fëmijët’. Unë dua të nënvizoj që është shumë e rëndësishme që ne të përqendrohemi në edukimin patriotik dhe atdhetar të gjeneratave”, tha Meta nga Korça. /Insajderi.com