Haki Abazi: Mbështetja e VV-së për nismën e Thaçit, është e dëmshme

Haki Abazi: Mbështetja e VV-së për nismën e Thaçit, është e dëmshme

Drejtori i fondacionit “Rockefeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi, e sheh të dëmshme për shtetin e Kosovës përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj nismës së presidentit Hashim Thaçi për formimin e ushtrisë.

Abazi, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se qëndrimi i VV-së për projektligjin e Thacit është i dëmshëm, sepse siç thotë drejtuesi i “Rockefeller Brothers”, kjo përkrahje e VV-së është “pa intencë dhe jo për shtetformim siç mund te paramendohet”.

“Përkrahja e projektligjit mund të duket vetëm sipërfaqësisht si përmbyllje e infrastrukturës se sigurisë por në fakt është sektori i vetëm që ka pasë seriozitetin e duhur nga ekspertët dhe tani degradimi tij është i pashmangshëm, si në çdo fushë tjetër”, ka thënë Abazi.

Abazi ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të bëhet ushtri në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës.

“FSK qe nuk do të bëhet ushtri me asnjë ligj përveç se me kushtetutë, por kështu siç po tentohet është forma e radhës për të bërë tenderë te shtrenjtë dhe përfitim financiar të klanit PRONTO. Në vend se pajisjet të vijnë në kuadër të partneritetit dhe kapaciteteve që ofron NATO, vendi më i varfër ne Evrope po do me tregu forcë ushtarake pa mbrojtjen e NATO-s”, ka deklaruar Abazi.

Abazi është shprehur se “askush nuk e vë në pikëpyetje përmbylljen e procesit të shtetformimit por përkrahja e VV-së për projektligjin kryeneç e përftues, është dështim në analizë”. /Insajderi.com