Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se e mirëpret vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat, dhe atyre të ardhura me postë, për kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se vullneti qytetar duhet të zbardhet njëherë e mirë, njofton Insajderi.
Sipas Haradinaj-Stubllës, ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së “incizimit të inskenuar” që pretendon përfshirjen e bashkëshortit të saj në vjedhjen e votave.
“Përsëris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kujtojmë se, së fundmi në media ka qarkulluar një video-incizim, ku thuhet se Dardan Stublla, burri i ministres Haradinaj, ia ka blerë votat asaj. Mirëpo, një gjë të tillë të dy e kanë e kanë mohuar.
Kandidatja për deputete nga AAK-ja, Florentina Gjergjaj, kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat.
Ndërsa, të hënën PZAP-ja ka aprovuar ankesën e Florentina Gjergjajt që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së./Insajderi.com