Adrijana Hoxhiq nga Komuniteti i Bashkuar e ka quajtur “skandaloze” vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për anulimin e votave të partive boshnjake.
Hoxhiq në një lidhje direkte në “Debat Plus” thotë se asnjë ligj nuk e ndalon që komunitetet tjera të votojnë subjekte të komuniteteve tjera politike.
“Askush nuk e ka dhënë votën me zor për partinë time”.
“Unë kam marrë më shumë vota nga shqiptarët. Kam marrë vota nga Prishtina, nga Rajoni i Pejës, nga Mitrovica e veriut. Paramendoni 795 vota më janë anuluar nga Mitrovica e Veriut. Edhe partitë shqiptare në çdo palë zgjedhje janë votuar nga komunitetet tjera dhe kjo asnjëherë nuk ka qenë problem”, ka thënë Hoxhiq.
Ajo ripërsëritë se nuk ka pasur asnjë marrëveshje me Listën Serbe sa i përket votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
“Unë do të kisha kuptuar brengën nëse do të kisha fituar tre deputetë. Por unë kam fituar vetëm një deputet”, ka thënë ndër të tjera Adrijana Hoxhiq. /Insajderi.com