Qeveria thotë se ende nuk e ka pranuar dorëheqjen e Haradinaj-Stubllës

Qeveria thotë se ende nuk e ka pranuar dorëheqjen e Haradinaj-Stubllës

Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ende nuk e ka pranuar dorëheqjen e Meliza Haradinaj-Stubllës nga pozita e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Posa ta pranojë letrën e dorëheqjes, qeveria do të diskutojë dhe në fund të vendos për shefin e ri të diplomacisë kosovare.

Kështu ka deklaruar për Insajderi-n drejtoresha e Zyrës së Komunikimit me Media në Qeverinë Hoti, Antigona Baxhaku.

“Qeveria akoma nuk e ka pranuar letrën e dorëheqjes. Ministrja në detyrë i ka njoftuar mediat, por ne jemi në pritje të letrës për dorëheqje. Tani për tani nuk mund të flasim për zëvendësuesin e saj”, ka thënë Baxhaku.

Meliza Haradinaj-Stublla ka njoftuar mediat dhe opinionin publik të martën se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres, pas skandalit me vjedhjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj-Stublla ka thënë se jep dorëheqje për shkak se ndodhet “në një skemë piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit e shantazhit”.

Ndërsa, në vend të saj pritet të emërohet një nga zëvendësministrat e kësaj ministrie, e që janë: Muhamet Brajshori, Teuta Sahatqija dhe Gani Dreshaj./Insajderi.com