Udhëheqësja e Iniciativës së Bashkuar Boshnjake, Adriana Hoxhiq, ka dorëzuar të martën ankesë në Gjykatën Supreme pas anulimit të votave për partinë e saj në shtatë komuna me shumicë serbe, njofton Insajderi.
Hoxhiq e ka quajtur të papranueshëm vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas saj, do të varet nga përgjigja e Gjykatës Supreme se a është Kosova shtet ligjor.
“Ne sapo e dorëzuam ankesën në Gjykatë Supreme. Vendimi i djeshëm i PZAP-së është i papranueshëm sepse i shkel të drejtat themelore të qytetarëve që të votojnë sipas vullnetit. Unë besoj që ai vendim është sfidë për të gjitha institucionet”, është shprehur Hoxhiq para mediave.
Ajo tutje ka pohuar se do t’u drejtohet mekanizmave ndërkombëtare të drejtësisë nëse ankesa në Supreme nuk jep rezultat.
Të hënën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur për anulimin e votave të partive boshnjake në komunat me shumicë serbe dhe të votave të subjektit Iniciativa Rome në ato komuna.
Në total janë anuluar pesë mijë e 813 fletëvotime nga numri total i 877 mijë e 497 sa ishin llogaritur të vlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas anulimit, Hoxhiq humb ulësen në Kuvend./Insajderi.com