Borrell: Ka ardhur koha të përmbyllet procesi i dialogut Kosovë-Serbi

Borrell: Ka ardhur koha të përmbyllet procesi i dialogut Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, thotë se pas 10 vjet bisedimesh midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, ka ardhur koha e përmbylljes së këtij procesi, njofton Insajderi.

Nëpërmejt një postimi në Twitter, Borrell ka shkruar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi do të hapë rrugën për të ardhmen e tyre evropiane.

“10 vjet më parë, takimi i parë i Dialogut Beograd-Prishtinë u zhvillua në Bruksel. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, është koha për të përmbyllur procesin. BE është duke punuar me palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që do të hapë rrugën për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Borrell.

Dje janë mbushur 10 vjet nga fillimi i dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Këtë vit jubilar e kujtoi i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se që nga fillimi i këtij procesi janë arritur marrëveshje të rëndësishme. /Insajderi.com