Kandidati për deputet nga VV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit, Liri Loshi, ka hedhur dyshime mbi votat që ka marrë nga këto zgjedhje, gjithsej 3,504 vota nga të dhënat zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton Insajderi.
Loshi thotë se nuk është i sigurt për këtë rezultat, pasi ka dyshime për votat për të që kanë ardhur nga Peja dhe ato nga diaspora, për të cilat thotë se nga të dyja ka pritur më shumë.
“Sidoqoftë, ka një mospërputhje që kam hetuar me votat e mia në Pejë, bie fjala, ku komisionerët numëruan 353 vota në emrin tim, ndërkohë që nga të dhënat e KQZ dolën të ishin vetëm 214 vota! Pra, në Pejë, sipas kësaj mospërputhje më munguan 139 vota. Mospërputhje të ngjashme mund të ketë pasur gjithandej Kosovës, por unë rastësisht këtë defekt e kam kapur në Pejë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, që thotë se nga diaspora, vetëm në Kanada, SHBA, vetëm në Angli apo vetëm në Suedi do të duhej të kishte mbi 300 vota. Ai shton se priste “2,000 apo 3,000 vota nga diaspora meqë isha kandidat për deputet i diasporës nga partia më favorite në këto zgjedhje”.
“Besoj se nëse shohim se cilit deputet iu shtuan disa mijëra vota nga diaspora nga këta që kishin numër të përafërt votash me mua, apo edhe më pak dhe që nuk ishin kandidatë nga diaspora, atëherë del sheshit se kah u zhdukën votat e mia, apo edhe të ndonjë kandidati tjetër”, shkruan ai.
Loshi shprehet se rinumërimi i votave do të mund ta ndërronte renditjen e kandidatëve dukshëm dhe të dokumentonte dyshimin e tij, megjithatë pohon se nuk është ankuar zyrtarisht për keqpërdorim të votave në PZAP.
Ndërkohë, ai përmend një rast se si dikush i ka ofruar 500 vota në këmbim të 500 eurove, e bashkangjitur ka vënë dy fotografi të personit që i ka ofruar një gjë të tillë, edhe pse vetë ai thotë se nuk e di sa mund të jetë ky person real./Insajderi.com