Pacolli: Kemi vija të kuqe me njerëzit brenda partive dhe jo me partitë

Pacolli: Kemi vija të kuqe me njerëzit brenda partive dhe jo me partitë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me PDK-në, edhe pse prej saj ishte ndarë e zhgënjyer gjatë bashkëqeverisjen.

Ai ka thënë se në secilën parti ka njerëz të mirë, dhe AKR-ja nuk ka limite me partitë, por me disa njerëz brenda atyre partive, të cilët, sipas tij, e përbëjnë vijën e kuqe të bashkëpunimit.

“Ne jemi njerëz të politikës, dhe në politikë, atë çka e kam mësuar, nuk kishte limite dhe nuk duhet askush të limitohet. Por një e them – edhe PDK-ja ka njerëz të mirë”, ka thënë Pacolli në emisionin ‘Personale’ në TV Dukagjini.

Vlerësimi i tij është se AKR-ja kësaj radhe do të jetë në pozitë që ta zgjedhë partnerin e koalicionit.

“Kësaj radhe AKR-ja do të kuptohet më mirë nga qytetarët e Kosovës, AKR-ja do të marrë aq shumë vota saqë do ta ketë mundësinë ta zgjedhë partnerin e vet”, ka shtuar Pacolli gjatë kësaj interviste./Insajderi.com