Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është deklaruar pas mospajtimeve që ka pasur kohëve të fundit me asamblistët e partisë së tij (Lëvizjes Vetëvendosje) në Kuvendin Komunal, transmeton Insajderi.
Haskuka ka thënë se ishte i befasuar nga mungesa e asamblistëve në seancë, ku u hodh në votim marrëveshja mes kësaj komune dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Një herë në muaj mbahet asambleje komunale dhe unë mendoj që detyra e asamblistëve është të jenë prezent dhe të votojnë projekte që janë në të mirë të qytetarëve. Nuk është etike që të mos votohen projekte që janë në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.
Haskuka tutje ka theksuar po ashtu se mos pjesëmarrje në votime si kjo ka pasur edhe disa herë të tjera. Se a po ndodh ky bojkotim i punës së tij nga partia e Haskukës dhe a po bëhet qëllimshëm, ai kishte këtë përgjigje.
“Nuk e di a është neglizhencë, nuk mendoj që është në rregull duke pasur parasysh që një pjesë e tyre kanë qenë me i prish koalicionet, normal që edhe zhvillimet politike na sollën në këtë gjendje ku ne nuk kemi shumicën në Kuvend. Mungesat janë të paarsyeshme”, ka pohuar ai./Insajderi.com