Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka bërë thirrje publike të gjithë ata që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mos kalojnë nëpër Serbi sepse mund të arrestohen gjë e cila ka ndodhur, njofton Insajderi.
“Në bazë të kërkesave të Serbisë në Interpol, një numër i shqiptarëve janë arrestuar në shtetet perëndimore dhe ka pasur rrezik të ekstradohen në Serbi. Në mesin e të arrestuarve në shtetet perëndimore ka pasur udhëhqës të lartë ushtarak të UÇK-së dhe udhëheqës të lartë politikë në Kosovë, presidenti, kryeministri, ministra etj”, thuhet në njoftim.
KMDLNj, ka theksuar se Serbia ka listë të veteranëve të luftës së ish UCK-së rast nëse iu ofrohet mundësia, t’i arrestojnë dhe t’i detyrojnë të dhënë dëshmi të rrejshme apo t’i shndërrojnë në bashkëpunëtorë. Ka raste kur pjesëtarë të tillë kanë qëndruar në Serbi dhe më pas janë paraqitur si dëshmitarë në proceset gjyqësore në Kosovë apo janë në listën e dëshmitarëve të mbrojtur në Hagë.
Në njoftim thuhet se Serbia është duke u angazhuar që të gjejë sa më shumë “prova“ dhe dëshmitarë kundër të akuzuarve dhe arrestuarve shqiptarë që janë të paraburgosur në Hagë prandaj ka intensifikuar të gjithë mekanizmat që mund t’i përdorin apo kepërdorin në Hagë.
“Jemi dëshmitarë që Nezir Mehmetaj po mbahet në burg në bazë të akuzave të sajuara dhe, përkundër dëshirës dhe vullnetit që t’i ndihmohet, është e pamundur të bëhet kjo. Ndaj në asnjë mënyrë të mos udhëtojnë nëpër Serbi sepse lehtësisht mud të arrestohen dhe të kushtëzohen me lirim, në kundërvlerë të dhënies së informatave që i duhen Serbisë. /Insajderi.com