Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi, thotë se padia ndaj ish-senatorit zviceran, Dick Marty, ish – Kryeprokurores te Tribunal të Hagës, Carla Del Ponte, Jose Pablo Baraybar- kryesues i zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore në kuadër të UNMIKU-t, do të jetë një mundësi e mirë për zbardhjen e të vërtetës mbi dyshimet për krime lufte nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Insajderi.
Kështu është shprehu Gashi duke shtuar se kjo padi dhe zbardhja e së vërtetës do të ofronte mundësi për zhbërjen e Gjykatës Speciale në mënyrë ligjore.
“Ne besojmë se fare lehtë mund ta argumentojmë se Dick Marty me raportin e tij, ka mashtruar Këshillin e Evropës i cili përmban trillime për të cilat kurrë s’kanë ndodhur në shtëpinë e familjes Katuçi. Dhe pastaj institucionet e Kosovës pasi të vërtetohet se gjithçka ka qenë e rrejshme besoj që do të gjenden modalitete për ta ndaluar punën e Gjykatës Speciale, por në mënyrë të ligjshme”, tha Gashi, raporton EO.
Gashi, i cili është autorizuar nga Mersin Katuçi, i fshatit Gurë – Republika e Shqipërisë, për të ngritur padi ndaj Dick Marty dhe të tjerëve për akuzat se në shtëpinë e tij, kanë ndodhur krime, dhe heqje të organeve ndaj cilëve nga ish-ushtarët e UÇK-së, ka thënë se familja Katuçi ka propozuar atë që të ushtrojë padinë, duke e ditur se është avokat i shoqatave të dala nga lufta.
“Ideja ka qenë e familjes Katuçi i cili ka parë intervista të mija si avokat i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe ai ka besuar se si avokatët e këtyre organizatave mund të merrem edhe më këtë çështje, pastaj ai ma ka ftuar përmes disa miqve të përbashkët në Shqipëri dhe kamë marrë autorizimin”, ka treguar Gashi.
Gashi i cili është autorizuar nga Mersin Katuçi, i fshatit Gurë i Republikës së Shqipërisë, për të ngritur padi ndaj Dick Marty dhe të tjerëve për akuzuat se në shtëpinë e tij kanë ndodhur krime dhe heqje të organeve nga ish-ushtarët e UÇK-së, ka thënë se ka kërkuar edhe raportin e Clint Williamsonit, por që atë sipas tij, nuk e posedon askush.
“Kam kërkuar këtë dokument nga Kryeprokurorit i Shtetit Aleksander Lumezi, i cili është njoftuar por është kërkuar t’i drejtohem Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe poashtu kam kërkuar në bazë të autorizimit të familjes raportin e Clint Williamson dhe përgjigja e Prokurorisë Speciale, kryeprokurorit Blerim Isufaj është që këta nuk e kanë raportin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se raportin e ka kërkuar dhe nga Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith për të cilin po pret përgjigje, por thotë se nuk do të presin gjatë dhe se padia do të dorëzohet.
“Ne jemi duke e pritur sigurimin e raportit të prokurorit amerikan Williamson i cili faktikisht është një lloj kallëzimi penal. Paditë do të jenë penale dhe civile”, tha Gashi. /Insajderi.com