Bashkimi Evropian po pret që Kosova të implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pasi që ky zotim është marrë në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, transmeton Insajderi.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë se vendimi i Kushtetueses për Asociacionin në vazhdimësi është keqinterpretuar, derisa ka potencuar se në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese asnjëherë s’ka konstatuar që Asociacioni s’mund të themelohet.
“Kosova ka hyrë në një marrëveshje për të themeluar Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo marrëveshje ishte arritur në mirëbesim mes të gjithë palëve të inkuadruara. Marrëveshja asnjëherë s’është shfuqizuar”, ka thënë ai pwr Express.
“Në fakt Marrëveshja e vitit 2013 ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e shumicës. Duke e bërë një gjë të tillë, Kosova ka marrë mbi vete një obligim ndërkombëtar për të implementuar këtë marrëveshje”, ka shtuar Stano.
“Vendimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asocaicionin në vazhdimësi është keqinterpretuar. Gjykata asnjëherë s’ka thënë që Asociacioni nuk mund të themelohet”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.
Ai në fund ka thënë se Bashkimi Evropian pret që Kosova të respektojë obligimet që ka marrë në kuadër të procesit të dialogut të udhëhequr nga Brukseli.
“Ne presim që Kosova të respektojë obligimet që ka marrë në procesin e Dialogut”, ka përfunduar Peter Stano. /Insajderi.com