Infektologu Hamdi Ramadani, po e vlerëson të rëndë situatën tashmë të krijuar me raste të shumta të të infektuarve me Coronavirus në vend, njofton Insajderi.
Përveç kësaj ai e sheh edhe me shqetësuese gjendjen për faktin se në Kosovë, akoma nuk është siguruar vaksina kundër COVID-19.
”Numri i këtyre rasteve po shkon në rritje, kjo favorizon edhe faktin që kemi variantin e ri të COVID-19. Ajo çka është brengosëse për vendin tonë, është se ende nuk kemi mund ta sigurojmë një vaksinë, do të ishte imunizuese, që do ta mbronte qytetarin apo shpëtonte. Nuk e di deri kur do të presim”, tha ai.
”Nëse vazhdojmë me këtë trend ditëve në vijim, situata do të jetë tejet e ngarkuar dhe e rënduar, pasi numri i të sëmurëve po kërkojnë nga dita në ditë pranimet në reparte, por situata do jetë tejet e rëndë dhe shqetësuese sepse edhe ato kapacitete që kemi do të jenë në limitin e tyre”.
Për të zbutur këtë situatë alarmante siç e quan ai, njohësi i këtyre sëmundjeve, konsideron që masat më rigoroze antipandemi, do të ishin të një niveli më se të nevojshëm.
”Është me rëndësi që masat antiepidemiologjike të jenë më rigoroze, më shtrënguese dhe të jenë më të respektuara nga qytetarët, në të kundërtën të merren masa sanksionuese ndaj atyre që nuk iu nënshtrohen parimeve elementare për luftimin e virusit COVID-19”,shtoi ai.
”Maska detyrimisht duhet të përdoret edhe ndaj atyre që e kanë kaluar sëmundjen. Distanca duhet respektuar në përgjithësi. Fillimi i një vaksinimi dhe një imunizimi, do të ishte hap themeltar dhe themelor që të ndalet ky hap i ndaljes së rritjes së rasteve dhe vdekshmërisë”, përfundoi Ramadani./Insajderi.com