Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës të enjten është lëshuar në funksion sistemi qendror i furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit, njofton Insajderi.
Në njoftimin për media të SHSKUK-së thuhet se ky investim do të ofrojë siguri më të madhe për pacientët që kanë nevojë për oksigjen, e po ashtu do të lehtësojë punën e stafit shëndetësor.
“Për të parë investimin e bërë dhe funksionimin e këtij sistemi, dr. Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, ka vizituar Klinikën Infektive, me ç’rast është informuar për punimet e kryera.
Ai është njoftuar nga stafi i kësaj klinike se përmes këtij investimi do të jetë më i lehtë trajtimi i pacientëve dhe stafi i klinikës do ta ketë më të lehtë punën”, thuhet në njoftim.
Tutje, SHSKUK bën të ditur se furnizimi me oksigjen qendror do të bëhet nga cisterna me kapacitet 20 mijë litra, investim ky i kryer në vitin e kaluar.
“Shtrirja e sistemit qendror të furnizimit me oksigjen, do të vazhdojë edhe në Klinikën e Pulmologjisë dhe klinikat tjera të QKUK-së”./Insajderi.com