Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut e cila është e përbërë me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e Iniciativës Qytetare Komuniteti i Bashkuar, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, transmeton Insajderi.
Siç thotë Markoviq, kryetari i komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe, i ka kërkuar që të votonte për Hoxhiqin.
“Ai më thirri mua (kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq) dhe më dha një fletëvotim. E rrumbullakoj opsionin për mua dhe numrin në të djathtë, dhe më tha: ‘Këtë kërkesë do të ma respektosh. Voto për Adrijana Hoxhiqin dhe i pres katër vota nga ti’. Pra, që unë, prindërit e mi dhe gruaja ime ta mbështesnim këtë opsion”, thotë Markoviq për REL.
“Ata më thirrën më 16 shkurt (dy ditë pas zgjedhjeve) për një bisedë me kryetarin. Unë shkova dhe ai më tha: ‘Ku janë votat?’. Unë i thashë se nuk mund ta votoja atë, as prindërit e mi nuk donin të votonin (për Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq)”, shtoi ai.
Më 21 shkurt, shtatë ditë pas zgjedhjeve, Markoviq u shkarkua nga kompania ku ai punonte.
Dokumenti që iu dorëzua atij me atë rast dhe të cilin e ka parë edhe REL, thotë se punësimi i tij është ndërprerë për shkak të “zvogëlimit të numrit të punëtorëve, sipas urdhrave të komunës së Ranillugut”.
Ai nuk është ankuar për vendimin e punëdhënësit dhe nuk është i gatshëm që ta raportojë rastin në polici. /Insajderi.com