Nagavci i përgjigjet Qunit: Nuk kemi nevojë të bashkëqeverisim me LDK-në

Nagavci i përgjigjet Qunit: Nuk kemi nevojë të bashkëqeverisim me LDK-në

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia ku bën pjesë ajo nuk ka nevojë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të kandidatit për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni.

Quni në emisionin “DESKU” të KTV-së ka folur duke lënë të hapur mundësinë e koalicionit me VV-në.

Nagavci në “Interaktiv” të KTV-së theksoi se qytetarët i kanë dhënë besimin Vetëvendosjes më 14 shkurt për të udhëhequr e vetme.

“Ju e dini që VV-ja në zgjedhjet e vitit 2019 e ka shprehur hapur dëshirën e saj për të bashkëpunuar me LDK-në, dhe kjo kishte ndikuar që LDK-ja të marrë përqindje goxha të lartë në vota, por ajo që bëri më 25 mars më pas, e mori përgjigjen në këto zgjedhje. VV-ja është bërë subjekti me më së shumti ulëse në histori të Kosovës, nuk do të kemi nevojë të bashkëqeverisim me LDK-në, pasi qytetarët na kanë dhënë këtë besim. Do të bashkëpunojmë për çështjet që janë në interes të qytetarëve, kështu nuk kemi nevojë për koalicion. Se si do të reformohet LDK-ja dhe subjektet tjera, mbetet të shihet në vitet e ardhshme. Kësaj radhe, qytetarët ia kanë besuar qeverisjen Albin Kurtit”, tha Nagavci.

Ndërkohë, sa i përket rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK, ashtu siç kishte thënë Lutfi Haziri ditë më parë, Nagavci është skeptike që kjo gjë mund të ndodhë.

“Këto janë deklarata që i përdorin për zgjedhjet e brendshme që i kanë, ky është vendim që e merr vet Vjosa Osmani, por në rrethanat në të cilat jemi, nuk mendoj se është i mundshëm. Vjosa Osmani do të jetë presidentja e ardhshme, kështu që nuk ka arsye që ajo të kthehet”, përfundoi Nagavci./Insajderi.com