Gjilan: Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim me subvencione

Gjilan: Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim me subvencione

Është kërkuar masë paraburgimi për zyrtarin komunal të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Gjilanit si dhe për një fermer, të cilët u arrestuan si të dyshuar për “keqpërdorim të subvencioneve”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda deklaroi se mbi të dyshuarit është ngritur aktakuza për ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Mashtrimi me subvencione’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Personat e arrestuar kanë iniciale Z.P dhe B.T, përcjell Insajderi.

“Sipas kërkesës, i pandehuri Z.P., që nga viti 2012, deri në fund të vitit 2020, si person zyrtar në cilësinë e zyrtarit për vlerësim dhe verifikim të aplikacioneve, në Drejtorinë e Bujqësisë në komunën e Gjilanit, në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe të pandehurin tjetër B.T., ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i mundësuar të pandehurit B.T., përfitimin e kundërligjshëm të subvencioneve që nga viti 2012 deri në vitin 2019 nga 150 euro për hektar për çdo vit, ndërsa, në vitin 2020 shumën prej 900 euro, edhe pse i njëjti nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret për fitimin e subvencioneve për të mbjellat me grurë”, thuhet në njoftim

Policia e Kosovës kishte raportuar se të dyshuarit janë në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa, Gazeta Online Insajderi, kishte raportuar për arrestimin e tyre. /Insajderi.com