Komuna e Ferizajt ka reaguar pas aksidentit të ndodhur gjatë mbrëmjes të së premtes midis një treni dhe një veture në vendkalim pa mbrojtëse, njofton Insajderi.
Në njoftimin e komunës thuhet se një automjet është goditur nga treni, për fatin e mirë pa lëndime në njerëz dhe pa dëme të mëdha materiale.
Madje, siç bëhet e ditur në këtë njoftim, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka kërkuar nga autoritetet hekurudhore që të vendosin laura përgjatë vijës hekurudhorë që përshkon Ferizajn, por që një gjë e tillë nuk është realizuar.
“Komuna e Ferizajt njofton qytetarët se me kohë dhe me kërkesa të përsëritura disa herë, Kryetari i Komunës, Agim Aliu i është drejtuar autoriteteve hekurudhore për vendosjen e laurave përgjatë vijës hekurudhore që përshkon Ferizajn, në bazë të kompetencës dhe përgjegjësisë që ka kjo e fundit, por një gjë e tillë ndonëse me insistimin e vazhdueshëm të Komunës së Ferizajt, nuk është realizuar nga autoriteti hekurudhor”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas tyre, është koha e fundit që autoritetet hekurudhore përgjegjëse të marrin veprimet që i takojnë me legjislacionin në fuqi dhe të parandalojnë aksidentet e mundshme.
“Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën, kërkesën tonë të përsëritur tek përgjegjësit, gjersa mezipritja që të politizohet kjo çështje nuk i shërbejnë të vërtetës dhe interesit të qytetarëve”, thuhet në njoftim, duke publikuar edhe kërkesat e kryetarit Aliu të cilat me kohë i janë drejtuar hekurudhës së Kosovës për vendosjen e masave mbrojtëse në vendkalime. /Insajderi.com