Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me përfaqësuesit e National Democratic Institute (NDI), Robert Benjamin – drejtor për Evropën Qendrore dhe Lindore, Ambasadoren Nancy Soderberg – drejtore për Kosovë, transmeton Insajderi.
Siç bëjnë të ditur nga LVV përmes një njoftimit, në këtë takim u diskutua për procesin zgjedhor më 14 shkurt.
“Duhet theksuar se për ndërtimin e institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës dhe krijimin e një sistemi zgjedhor demokratik, NDI ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që nga paslufta e fundit”, thuhet në njoftim.
“Benjamin dhe Soderberg theksuan se NDI ka vullnet të madh që t’i vazhdojë projektet aktuale të bashkëpunimit me institucionet e vendit dhe t’i shoh mundësitë për zhvillimin dhe rritjen e mëtutjeshme të tyre në të ardhmen”, njoftojnë LVV.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Fitore Pacolli, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, asistentja ekzekutive, Valë Gjobalaj, si dhe Valon Kurhasanin, zëvendësdrejtor për Kosovën nga National Democratic Institute (NDI). /Insajderi.com