Edhe zyrtarisht Kosova ka hapur Ambasadën në Jeruzalem

Edhe zyrtarisht Kosova ka hapur Ambasadën në Jeruzalem

Sot, gjatë ditës së diele, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka njoftuar hapjen e Ambasadës së shtetit të Kosovës në Jeruzalem, njofton Insajderi.

Vendosja e Ambasadës në Jeruzalem vjen pas marrëveshjeve të 4 shtatorit, ku Kosova zyrtarisht njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga Izraeli, ndërsa në anën tjetër, pjesë e marrëveshjes ishte dhe vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, dhe jo në Tel Aviv, ashtu siç kanë të gjitha shtetet tjera të botës.

Kjo vendosje e Ambasadës vjen, kur në Kosovë, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres, ndërsa këtë post mori bashkëpartiaku i saj nga AAK-ja, Besnik Tahiri.

Gjithashtu, fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje!, kishte deklaruar më herët që Kosova do t’a shqyrtojë vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, duke aluduar së mund të ndodhë që vendosja e Ambasadës të bëhet në Tel Aviv, aty ku po kërkohet nga Bashkimi Evropian (BE).

Më posht ndodhet komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme:

Komunikatë

Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jeruzalem.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, z. Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jeruzalem.

Në pamundësi për të qenë prezentë në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.

Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

/Insajderi.com